"TOP SEKRET"
HISTORI
( Letra sekrete për baronin Austriak )
Vlorë, më 18 tetor 1908
I nderuari Baron!
Eqrem Bej Vlora, i biri i Syrja Beut dhe nipi i ish Vezirit të Madh Ferid Pashës ka ardhur këtu pak ditë më parë. Tek ai kam njohur nxënësin e dikurshëm të Akademisë Tereziane në Vjenë; një burrë në moshë të re me një inteligjencë dhe me një pjekuri gjykimi që bie në sy, një patriot shqiptar entuziast dhe një mik i vërtetë dhe i sigurt i Monarkisë. Eqrem Beu para rivendosjes së kushtetutës ka qenë në shërbim të Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Otomane, në kuadrin e së cilës ai bën pjesë akoma. Dëshira e tij ka qenë që të caktohej në
Ambasadën e Turqisë në Vjenë apo në Romë për të qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me qarqet zyrtare dhe private të këtyre dy qendrave të rëndësishme për politikën shqiptare, për të përkrahur sa më shumë aksionet që ndërmerren nga Vjena dhe të pengojë ato të Romës. Por, meqë dëshira e tij nuk u mor parasysh, ai tani për tani ka marrë një leje tremujore, të cilën mendon të kalojë në pjesën më të madhe në vendlindjen e tij, në sanxhakun e Beratit. Më vonë do të kem rast t'i relatoj
Shkëlqesisë Suaj më hollësisht mbi këtë burrë të ri interesant, i cili ndoshta do të luajë një rol të madh në të ardhmen e Shqipërisë.Kësaj here dhe vetëm për të vërtetuar pretendimin tim mbi aftësitë intelektuale dhe mbi opinionin e tij politik, marr leje të njoftoj se ai më pohoi që është autori i vërtetë i Memorandumit politik "Qëllimi dhe e ardhmja e Shqipërisë", i cili është trajtuar në relacionet e mia datë 22 dhe datë 26 qershor të këtij viti nr. 18/sekret dhe nr. 19/sekret. Në këtë mënyrë eksludohet krejtësisht
Një gabim i mundshëm se memorandumi ishte i babait të tij, i cili kohë më parë më kishte thënë të njëjtën gjë (relacion datë 30 i majit të kaluar nr. 48/sekret). Në të njëjtën frymë politike për kombin e vet dhe me simpati për monarkinë, Eqrem Beu ka shkruar në gazetën gjermane "Turkia e Re" të themeluar pak kohë më parë në Stamboll tre kryeartikuj me titujt:
“Agimi i kulturës shqiptare" dhe "Popujt e Ballkanit - më tepër politik reale" botuar në gazetën "Turkia e Re" nr. 23 dhe 24 datë 26 dhe 28 shtator dhe nr. 26 datë 30 shtator.
Tekstualisht relatoj sot për Stamboll nën nr. 45/sekret dhe për Janinë nën nr. 42/sekret.
KRAUS
Shënim; Informacion i nënkonsullit austro-hungarez Kraus për ministrin e Jashtëm, baronin Alois von Aehrenthal mbi personalitetin e Eqrem Bej Vlorës.