"SQARIMI DRITËDHËNËS"
HISTORI
Historia e vdekur është një monument i ngritur mbi baltën e falsitetit për të nderuar nën të njëjtën KUBE, REDENTORIN e TIRANIN, heroin e kusarin, të korruptuarin e apostullin, duke përmbledhur në një apologjetikë gjithçka që qe, duke rrafshuar e bërë barabar maja malesh e humnera. Cilësia e parë e historishkruesit janë ndershmëria e sinqeriteti (PROBITETI), sepse, nëse vetëm ajo nuk mjafton, të gjitha të tjerat janë shterpë pa të. Aq më e urrejtshme është gënjeshtra, sa më e madhe është fjalamanëria e gojaçëve, që tallin me ngatërrimet e tyr kërkuesin e së vërtetës. Është për t'u admiruar ai sqarim i hollë e dritëdhënës, që zbulon e vë në rregull një nga një kundërshtime, përgënjeshtrime, kundërthënie që mund të jenë çelësa të dobishëm të ndonjë episodi të së shkuarës së madhe, por është më e lavdërueshme vlera e të cilësuarit e të maturit, duke mësuar që të adhurojmë burrat shembullorë e duke larguar e refuzuar mesataritë bastarde shakllabane. Në historinë e gjallë, shërbëtorët e një despotizmi nuk janë të barabartë me kryengritësit që e luftuan atë. Nuk konformohen ata që u rritën duke u ngritur lart prej gabimeve me ata që deshën të vërtetën. Nuk njësohen ata që u pasuruan për të mbuluar e për të fshehur parimet e tyre me ata që vuajtën për t'u qëndruar besnikë deri në varr parimeve të tyre.
Gënjen e tërë historia e vdekur që mban masë të barabartë për martirët e sharlatanët demagogë, për ata që kanë vdekur mbi stivë të druve nëpër flakët përvëluese të zjarrit e për ata që i ndezën ato zjarre, për viktimat e për servilët shërbëtorë të diktaturave, njësoj si patriotizmi i posteritetit të ish-zërave frymëzues me atë të të këqijve. Historia pa kuptim moral është një makinë marrëzish; i ul të denjët për të justifikuar të mjerët, të poshtrit.
Isuf LUZAJ