"NJË LULE PËR SHKENCËN"
SHKENCË
Kostandinopojë, shkurt 1910.
Para tre vjetësh, kur hodha në letër këtë ditar,as ndërmend nuk më shkonte që qoftë edhe disa fjalë të tij t'ia bëja ndonjëherë të njohura publikut. E si do mund të kishte çarë udhë në mendjen time kjo dëshirë,atëbotë kur njeriut i duhej të fshihte edhe mendimet nga SPIUNET E LIGJ, jo më të kishte guximin të jepte një dëshmi me shkrim të mendësisë së vet. Më vonë, i nxitur edhe nga kërkesat miqësore të zotit K.Paç për të bashkpunuar në serinë e tij:
"Njohuri për Gadishullin Ballkanik", i bëra një rishikim këtyre shënimeve,por edhe atëhere nuk u bë fjalë për botimin e tyre. Dhe kështu mbetën këto fletë mes të tjerave,duke pritur kohë më të mira. Rrethanat të papritura na shtynë sot të bëjmë një hap të madh përpara! Jo se kaluam nga rregjim shtetëror në një tjetër,por nga një periudhë historike e vjetëruar hymë në një të re. Rrënimi i absolutizmit dhe fillimi i rregullimit paqësor të çështjes së popujve përbën kthesën më të rëndësishme në historinë osmane! Këto ishin kohët më
të mira për të cilat ne ëndërronim, por që, duhet
Pohuar, nuk patëm aq besim sa t'iu afroheshim shumë. Ndërsa sot, kur, sikundër gjithë njerëzit e qytetëruar,edhe ne rifituam lirinë, dëshirojë t'i kërrej nga sënduku shënimet e mia të asaj kohe të shkuar,për t'ia dhënë ato publikut. Mund të gjënden aty disa tabllora karakteristike të rrethanave despotike të së shkuarës; mund të nxirren syresh disa mësime jo të tepërta e të panevojshme në këtë periudhë të përparimit tonë. Dhëntë Zoti e nuk shkon shumë dhe ne vetë fillojmë e dyshojmë mundësinë e këtyre anormaliteteve. Më tej të lë të jenë këto rrjeshta një dëshmi folëse,një shëmbull frikësues për gjendjen që shumë shpejte mund të na duket si një kujtim i lig. Unë do të kisha mundur, përpara botimit, të ndryshoja ca gjëra, të përmirësoja,mbase, ca të tjera,por qëllimisht nuk e bëra këtë. Ndjesit tona, mendësia jonë dhe gjuha e sotme kanë ndryshuar kaq rrënjësisht nga e djeshmja,sa që me duhej të shmangja çdo vijë të pendës për të mos cënuar origjinalitetin e së kaluarës. Dua të pohoj me ngulm: përshkrimet e mia të udhëtimit nuk janë një e tërë e lidhur,por më tepër një tufë e pasistemuar mbresash që unë mblodha gjatë kohës së shkurtër prej një muaji dhe pa ndonjë plan njejësues. Do të gjendet thua,në këtë gëmushë gjëmbaçësh ndonjë lule? Nuk e di.
Ndonëse Shqipëria është një vend plot risi dhe origjinalitet,sa që secila prej tyre mund të ishte një lule për shkencën. Le të shpresojmë pra,që edhe unë të mos kem qenë i pafat me këtë tufë shënimesh,.
Ditar (Nga Berati në Tomorr dhe kthim)
Eqrem bej Vlora