"MEMORANDUMI I EQREM BEJ VLORËS"

HISTORI

7/8/20233 min read

Stamboll, më 29 korrik 1912

(Publikohet me shkurtime dhe i përshtatur)

Më lejoni Shkëlqesi, të bëj përmbledhjen e reformave të nevojshme për Shqipërinë, duke siguruar se ato i përshtaten në ç'do pikëpamje kërkesave të të gjithë popullit shqiptar.

1) Formimi i një vilajeti unik shqiptar, kufijtë e të cilit të përfshijnë këto qarqe administrative.

a) Të gjithë Vilajetin e Janinës

b) Të gjithë Vilajetin e Shkodrës

c) Sanxhaqet: Prizren, Jeni Pazar, Prishtinë dhe kazanë Kalkandelen (Tetovën) nga Vilajeti Kosovës.

d) Sanxhaqet: Korçë, Elbasan dhe Dibër nga Vilajeti i Manastirit. 2) Mësimi shqip në shkollën fillore me zgjedhje të lirë të shkronjave të alfabetit arab ose latin dhe mbajtja e këtyre shkollave si dhe të një shkolle normale të madhe në Elbasan me anë taksash shkollore (Hisse-mearif) që do nxirren në këtë provincë.

3) Emërimi i nënpunësve që zotrojnë gjuhën e vendit.

4) Organizimi i një milicie vendase (Milie-taborları) dhe njëherit mbajtja e lirë e armëve me garanci reciproke.

5) Ndryshimi i ligjeve penale dhe civile si dhe të disa taksave, sipas nevojës së vendit.

6) Amnisti e përgjithshme për të gjithë kryengritësit.

Ne kërkojmë formimin e një province shqiptare unike, mbasi jemi të bindur se kështu do të zgjohet në mënyrë definitive ndjenja nacionale e popullit tonë, duke i dhënë fund propagandës minuese në Shqipëri nga ana e shteteve të Ballkanit.

Krahinat nën administrimin e provincave të ndryshme dhe të banuara nga shqiptarë, i shikojnë grekët në Jug, të ashtuquajturën Epirus, serbët të ashtuquajturën Serbi e vjetër dhe bullgarët pjesën perëndimore të Vilajetit të Manastirit si një e drejtë e dhënë nga marrëveshja e Shën Stefanit, për të formue një Bullgari të madhe historike (?) të tyre, po edhe malësorët kërkojnë si krahinë që i përket atyre, në të ardhmen Malësinë e Madhe dhe Shkodrën, krahinë e cila qysh tash të pregatitet për momentin pushtues (?) definitiv. Sa e kanë dëmtuar ekzistencën nacionale këto të ashtuquajtura të drejta historike të komshive tanë ballkanas, mund ta çmoi vetëm ai, i cili e di se në Shqipërinë e Jugut krahina të tëra, si Suli dhe Himara, ku para 50 vjetësh flitej vetëm shqip, sot janë greqizuar. Në Shkodër, ku para 12 vjetësh nuk flitej asnjë fjalë serbisht, sot përdoret nga populli për tregti gadi krejtësisht gjuha serbe. Në Manastir e ka zëvendësuar bullgarishtja në fshatra dhe në qytet jo vetëm gjuhën shqipe, por sidomos edhe turqishten.

Nuk kam nevojë t'i shpjegoj Shkëlqesisë Suaj, se gjuha, në bashkim me një kulturë të ngritur dhe me një organizim është moment vendimtar për nacionalitetin dhe se ky moment formon të vetmen të drejtë për zgjerimin e interesave irredente në Ballkan. Këto çështje nuk dëmtojnë aq tepër ekzistencën e kombit Shqiptar se sa rrezikojnë vazhdimësinë e Shtetit Osman në Ballkan. Në rast se Shkëlqesia e Juaj do të merrni mundimin, do të konstatoni përpjekjet e dëshpëruara dhe të mëdha të ambasadës serbe, greke, bullgare po dhe malazeze, për të ndaluar dhënjen e një Autonomie për Shqipërinë. Kjo duhej të ishte për qeverinë dëshmia më e madhe dhe më e mirë, se forcimi nacional dhe formimi i Shqipërisë nuk është e drejtë kundër Shtetit Osman, por kundër armiqve të tij natyral, që janë dhe do të jenë shtete ballkanike. Në rast se Shkëlqesia e Juaj mendon se me formimin e një province shqiptare do të haste në kërkesa nacionale dhe në turbullira nga ana e banuesve jo shqiptarë të kësaj province më lejoni të përcaktoj numrin e tyre që kanë në pakicë

të pa konsiderueshme kundrejt shqiptarëve:

Vilajeti i Shkodrës 430.000 shqiptarë, prej tyre 120.000 katolik; Vilajeti i Janinës 650.000 banorë, nga të cilët 460.000 shqiptarë, 150.000 ortodoks dhe pjesa tjetër muhamedanë; Sanxhaku i Korçës 180.000 banorë, 30.000 jo shqiptarë (bullgarë dhe vllehë); Elbasani 180.000 shqiptarë, Dibra 270.000 banorë nga të cilët 60.000 jo shqiptarë (bullgarë e turq);Prizreni 280.000 banorë, nga të cilët 40.000 serbë; Novi Pazar 180.000 banorë, nga të cilat 80.000 shqiptarë, pjesa tjetër serbë; Prishtina 350.000 banorë (tue përfshi edhe fshatrat për rreth që i përkasin Shkupit (Merkezi-kazası) nga të cilët 60.000 serbë; Kazaja Kalkan-dele 80.000 banorë nga të cilët 20.000 jo shqiptarë (bullgarë dhe serbë).

Eqrem Bej Vlora

Shënim; Memorandumi i drejtohesh Portës së Lartë, para se të shpallesh Pavarsia e Shtetit Shqiptar,

pra sot a nuk janë të njëjtat probleme?