"LIGJI I PARË I HISTORISË"
HISTORI
(Memorandumi i Eqrem Bej Vlorës, lidhur me Shqipërinë drejtuar baronit Leopold
Chlumecky autor i librit "Austria dhe Italia")
Stamboll, më 14 prill 1908
Zotëri!
Mos u habisni që po marr lirinë, t'ju paraqis juve këto rreshta. Vetë jeni shkaktar për këtë. Ose për më tepër ishte libri i juaj "Austria dhe Italia" që më sugjeroi idenë, sot kur politika ballkanike duket se po hyn në një fazë të re të zhvillimit të saj, t'ju jap juve dhe, nëpërmjet jush, ndoshta një rrethi më të gjerë, shpjegime mbi disa gjëra, të cilat, meqenëse këtu nuk vjen në konsideratë vetëm mendimi im personal, sigurisht do të kenë një vlerë. Këto që pasojnë nuk janë një kritikë e veprës suaj të shkëlqyer, për këtë unë nuk jam kompetent, as do të guxoj të shkoj aq larg sa të jap një gjykim mbi një parim për mua të huaj. Këtu dua të them disa fjalë që kanë për qëllim justifikimin përballë akuzave të padrejta, duke dhënë një tablo të gjendjes fizike, morale e politike të Shqipërisë dhe që përshkruajnë mundësinë e ndryshimit të tyre. Unë për këtë qëllim do të mbështetem sidomos tek një kapitull dhe tek disa pasazhe të veprës suaj.
Por nga ana tjetër, do të përpiqem me të gjitha forcat, që të fitoj faljen dhe respektin tuaj për zellin tim të tepruar, për t'i shërbyer një çështjeje të mirë - të vërtetës. Në qoftë se nuk ia arrij këtij qëllimi, në qoftë se ju, mbasi të keni lexuar këto faqe, do t'i hidhni në shportë i xhindosur, atëherë nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të lutem që të mos më matni me masën e tellallëve dhe politikbërësve ballkanas. Dispozicioni i dobët, rrjedhja jo e rregullt e mendimeve, mënyra e gabuar e shprehjeve vijnë nga njohuritë e mangëta të gjuhës gjermane. Do të përpiqem t'ia përshtat argumentet e dëshmive të mia qëllimit të kësaj vepre. Direktiva ime, mbasi jeta jonë me të gjitha ato që ka, do t'i përkasin dikur historisë është kjo: Primam esse historiae legem ne quid falsi dicere audeat, nen quid veri non audeat.
("Ligji i parë i historisë është, mos me guxu me thënë të pavërtetën, dhe mos
me guxu për mos me thënë të vërtetën)".
Mbasi unë nga origjina jam shqiptar, Juve e kuptoni natyrisht, se unë çdo gjë që i përket Ballkanit, veçanërisht Shqipërisë, e ndjek me vëmendje të madhe. Aq më tepër zemërohem natyrisht, kur shoh se pikërisht mbi të (Shqipërinë) dhe banorët e saj shfaqen mendime, të cilat me përjashtim të vendshpërndarjes së tyre Bolonjë, Cetinë, Beograd dhe Athinë, gjetkë nuk duhej të shkruheshin, as të lexoheshin. Përkundrazi unë konstatoj me gëzim, se në Austri në kohën e fundit, janë botuar disa përshkrime udhëtimi, të cilat në mënyrë të këndshme për ne shqiptarët janë në kontrast me fanfarat e njohura të një Vigo de Monte Garzza ose Battista Perres. Por ato janë më pak dhe nuk mund të ushtrojnë një influencë të rëndësishme mbi opinionin publik, dhe mbi atë të qarqeve kompetente që për ne është më me rëndësi! Ato nuk lexohen! Sepse Shqipëria sot është një vend i egër dhe i izoluar dhe nuk ofron në realitet diçka të re. Dihet se ç'ndodh në Ballkan dhe çfarë ka atje.
Unë vërtet kam disa eksperienca që mund të provojnë të kundërtën por ato siç duket janë të parëndësishme, sepse nuk kam se si t'i them ndryshe, kur para tre vjetëve më pyeti mua me habi një ambasador austro-hungarez: "përse shqiptarët e Kosovës janë kaq shumë kundër reformave dhe serbëve?". "Edhe ata janë sllavë”, shtoi Shkëlqesia e Tij. Në të njëjtën kohë një ministër italian më tha, se qeveria e tij mendon t'i mbrojë energjikisht të drejtat e saj në këtë anë (të Adriatikut), mbasi për këtë e detyrojnë "di più di 50 000 sudditi italiani e un millione di latini" (më shumë se 50.000 subjekte italiane dhe një milion latinë). Mjerisht nuk e njoh burimin statistikor, nga ku i ka marrë ky zotëri njohuritë e tij ekzakte, por megjithatë nuk dyshoj asnjë çast, në Itali ai nuk është i vetmi që e thotë këtë.
Nuk dua të flas gjatë mbi dëshmitë historike që u mundua të mi shpjegojë një ministër grek, edhe ai vetë me origjinë shqiptare, përsa i përket farefisnisë së ngushtë midis popujve tanë dhe homogjenitetit të tyre të natyrshëm, si edhe një ish kryeministër serb, përsa i përket homogjenitetit etnografik midis shqiptarëve të veriut dhe serbëve. Juve i dini ndoshta më mirë se unë këto pretendime të irevokable ("pakundërshtueshme"). Qëllimi i këtyre gjërave qesharake është krejt i qartë, prandaj nuk është nevoja t'i shpjegoj më gjatë. Vetëm them, se për ne shqiptarët është një gjë e vajtueshme dhe dekurajuese, kur vetë personalitetet më me influencë të atyre shteteve dhe popujve, prej të cilëve presim një përkrahje fisnike dhe civilizuese, po fillojnë të ecin në gjurmët e polemistëve të njohur të gazetave, të cilët ata, për hir të humanitetit, duhej t'i disaprovonin rreptësisht! Aq më tepër u gëzova, kur konstatova, se me çfarë sigurie ju keni ditur të prekni edhe sqaroni çështjet më delikate të politikës ballkanike, të cilat, mbasi janë qendra zjarri të vërteta, rrallë preken prej politikanëve dhe bastardohen sipas mënyrës së tyre prej shkrimtarëve të njëanshëm.
Më lejoni t'ju shpreh konsideratën time më të sinqertë. Mendimet tuaja, me përjashtim të disa pikave, mbi të cilat do të marr lirinë, të flas më me hollësi, jo vetëm për Austro-Hungarinë, por edhe për të gjithë popujt e Ballkanit, janë plotësisht të drejta. Vetëm mënyrën e realizimit të kësaj politike, sidomos në një rast, unë e gjej pak si tepër radikale, ndoshta me pa të drejtë, dua të them, pa qëllim dhe dobi. Sepse unë besoj se atje ku janë të gjitha mundësitë për të arritur të njëjtin qëllim me anë të një invazioni tregtar paqësor, bile më lehtë se sa me anë të një politike ekstremiste, sigurisht do të ndiqet rruga më e thjeshtë.
Por unë nuk habitem, që edhe ju nuk i paraqisni shqiptarët me ndjenja fort dashamirëse! Mbase nuk e njihni vendin, jeni mashtruar prej mendimeve të njëanshme, duke deklaruar si të drejtë luftën e shfarosjes së vërtetë kundër popullit më fatkeq të konglomeratit ballkanik, e cila do të ishte me të vërtetë shumë e padrejtë.
Eqrem Bej Vlora
Shënim: Memorandumi vijon por ne po e ndërpresim këtu, në foto është Baroni
Leopold Chlumecky të cilit ju drejtua Beu.