"FUNKSIONI I SHKENCËS"
SHKENCË
Çdo shkencë është një sistem që shprehet me ekuacione funksionale, elementet e së cilës janë hipoteza që shërbejnë si skelet strukture të një ndërtese për njohjen e një pjese të së vërtetës reale. Vlera e çdo hipoteze nuk është relative me asnjë parim të pandryshueshëm, por me hipoteza të tjera, duke qenë secila funksion i të tjerave. Ndonjë teori funksionale e njohjes në të ardhmen do të konceptojë të njëjtat hipoteza metafizike si ekuacione funksionale të komplikuara. Varianti ineksperiencial i saj është i kondicionuar prej varianteve eksperienciale të korelacionuara të gjitha në një sistem pambarimisht në përsosje për t'u perfeksionuar në të ardhmen. Teoria e relativitetit e Ajnshtajnit provon këtë të vërtetë;
Të tjera teorira, që do të sjellin shekujt, do ta provojnë më rrënjësisht atë. Dituria njerëzore zhvillohet në funksion të eksperiencës. Gjithçka e jetuar në lloje dhe esenca, në gjeneracione ka fituar përmes përshtatjes, duke transmetuar përmes trashëgimisë aftësitë që konstituojnë pasurinë instruktive, e cila i shërben për bazë eksperiencës njerëzore. Në këtë kombinohen impresionet e realit që prej dizekuilibrit imediat të receptorit sensitiv deri te refleksionet (mendimet) më abstrakte të funksionit të të menduarit.
Elemente të thjeshta koordinohen në origjinat e diturisë sonë. Përkëdhelja amësore, kënga e gjinkallës, xixëllimi i një ylli, ëmbëlsia e mjaltit, parfumi i lules, veprojnë në reprezentacionin tonë dhe në imagjinimin tonë fillestar të botës, që integrohet në të përardhurit e njohurive më komplekse. Hapi i supersticioneve primitive në doktrinat më pak imperfekte qëndron në zëvendësimin e pandërprerë të një hipoteze prej një hipoteze tjetër, gjithnjë më mirë të korelacionuar ndërmjet tyre. Shkencat janë rezultate të një bashkëpunimi shoqëror qindravjeçar, në të cilin janë kombinuar mijëra eksperienca individuale të pafundme. Çdo shoqëri, në një çast të dhënë, ka njëfarë eksperience aktuale që është funksion i shkencës së saj të mundshme. Hipotezat më të rrezikshme janë interpretacione të përgjithshme, bazuar në njohuritë e ambientit e të kohës së tyre.
Isuf LUZAJ