"DASHURIA"

KULTURË

10/9/20231 min read

Dashuria nuk ka të bëjë fare, as që i interesojnë cilësitë. Këto nuk janë objekt i dashurisë sonë. Ne dashurojmë REALITETIN më të thellë, më substancial dhe më të fshehur, të qënieve të dashuruara.

Kjo është qëndra metafizike më e thellë nga të gjitha cilësitë dhe esencat që ne mund të gjejmë e mund të numërojmë në të dashuruarin. Shprehjet e të dashuruarve janë të pafund, të pabarabarta, të pangjashme sepse OBJEKTI i tyre është i pambarueshëm.

Dashuaria e dallon qartë këtë qëndër metafizike, jo për të qënë e sigurtë, si e ndarë nga cilësitë e saj, po si NJE, bashkë me to.

Kjo është një temë, thelb studimi i pambaruar i EKZISTENCES, gjeneralitet dhe aksion, e aftë të dhurojë dhe të japë veten e saj; e aftë të presë e të marrë, jo vetëm këtë apo atë dhuratë të dhënë nga një tjetër, porse një tjetër VETE që jep VETEN e saj.

Kjo konsideratë e ligjit të vetë dashurisë na shpie tek problemi METAFIZIK i personit, sepse dashuria nuk është e interesuar për cilësitë ose esencat, porse vetëm për personat.

Për të dhënë njeriu veten e tij, ai më parë duhet të ekzistojë, si një tingull që përshkon ajrin, ose një IDE, që kryqëzon mendjen, si NJE GJE, që mbijeton dhe ushtron ekzistencë për vetveten.

Një qënie e tillë duhet të ekzistojë jo vetëm si ekzistojnë gjërat e tjera porse lartësisht eminencë e vetë pasionit, duke e mbajtur veten e tij, në duart e tij, zot e mjeshtër i vetes së tij.

Me pak fjalë duhet të jetë i pasuruar me ekzistencë shpirtërore, i aftë të mbajë veten me ndihmën e operacioneve të intelektit dhe lirisë, i aftë për të mbiekzistuar e i ndihmuar nga mjetet që jep dituria dhe dashuria.

Isuf LUZAJ