"ARMIQTË E RINISË"

KULTURË

10/9/20231 min read

Nuk është dinjitet të qëmtojë njeriu shërbëtor thërrime në dasma të fuqidarëve, si evgjitët që përleshen në thertore të mishrave për plenca e zorrë në dasmën e agait a të beut, saqë nga xhengjet e kokës e rripat e kurrizit u vete vrushk gjaku, duke hequr zvarrë zorrët e plencat e ndonjë berri shterp a kau plak.

Në qoftë se të rinjtë turpërojnë rininë e tyre dhe tradhtojnë duke preferuar atë që u jepet e jo atë që fitojnë, ata s'do të shohin kurrë fitore. Në çdo aktivitet shoqëror, arti i apo shkence formojnë, me kalimin e kohës, KLIKA, qerthuj - KAFKULLA njerëzish oportunistë. Këta në frëngjisht quhen ARRIVES, në italisht ARRIVISTI - KAUKUS. Kaparonjës kolltukësh që i lyejnë me zamkë ngjitëse që t'u rrijë gjithmonë i ngjitur në pjesët e prapme të trupit edhe në rast se rrëzohen. Këta qorr-batallë bajatë dëshirojnë t'i mbajnë gjërat ashtu siç janë, duke u vënë kundër gjithçkaje që përfaqëson rinovim dhe përparim; janë armiqtë e rinisë, korruptuesit e saj. Kur shohin ndonjë lëvizje rinie, ngrenë kokën si bualli e si gjeli i detit me të ngërryer të ndonjë krimbi dhe në mes gjyslykëve e gazetës që lexojnë u zgurdullojnë sytë si kupa me hirrë; këta janë zhapinj kënete.

Këta kapadainj qorr batallë, që në festa fryhen si gjela deti, në rrezik ikin si struci dhe e fusin kokën në kum qe të mos shohin rrezikun; në punë fshihen; në rrena e hipokrizi lloisin e janë të parët, këta loço ofrojnë gjithçka në këmbim me adulacionin e me CURAS në burokraci, që i lenë shkresat të flenë me vite e shekuj; radhë të vdekurish nëpër akademi, senate a këshilla shteti. T'i pranosh ata, do të thotë të komplikohesh me të shkuarën. Rinia që u dorëzohet atyre është fuqi e vdekur, humbet shtytjen përteritëse.

Isuf LUZAJ