🇦🇱 | "EKSPEDITA E BEUT"

HISTORI

7/8/20232 min read

Karroca jonë e sheshtë e modelit rus e tërhequr për bukuri nga katër kuaj të vegjel Myzeqeje, tundet e shkundet për tmerr. Rruga sa vjen e ngjitet, por sidoqoftë gjithë pjesa e saj e fundit, deri në majë,është më se e pranueshme.

Në majë na Përshëndet Ilias bej Vrioni, që ka ardhur këtu nga Berati për të na pritur. Gjatë pushimit të shkurtër unë mata lartësinë në një shesh sipër rrugës dhe më doli 115 m. mbi nivelin e detit. Hipa bashkë me Ilias beun në karrocën e tij dhe nisi kështu zbritja aq e frikshme e Qafës së Sqepurit. Përpara nesh u shpalos me gjithë bukurinë e saj lugina e lumit të Beratit. Shiriti i argjendtë i lumit që gjarpëronte midis sukash shumëngjyrëshe, kodrinat e blerta të planit të parë dhe kalaja e Beratit në sfond, me malet e larta në thellësi dhe me bredhëritjet mijëra spikamash të perëndimit të diellit,sajonin një tablo artistike shpirtpaqtuese. Po nxitonim me sa ishte e mundur në atë rrugë me gropa, sepse deri në Berat ishin edhe dy orë të mira rrugë.

Pasi lamë pas në të majtë fshatrat Mustafajes dhe Poskë,iu afruam Urës së Hasan Beut.

Përkundrejt Pashalliut,një çiflig i Nyzhedet (Nyzhet )bej Vrionit, e pranë një burimi të pakët squfuror që dilte nga një shkëmb gëlqeror,rruga bëhej fare e sheshtë. Matja e lartësisë dha 65 m.mbi nivelin e detit. Me të mbërritur mbi urë, zbritëm për të vizituar burimet sulfurore që dilnin buzë lumit. Që 30 m. përpara fillon e ndjehet era e fortë e squfurit. Janë dy burime dhe të dyja në në bregun e mëngjër. I pari shpërthen as 100 metra larg hanit pranë urës,tjetëri disa minuta përpjetë,pranë këmbëve të një ure të shkatërruar. Duke mos qenë ndërtuar asnjë vaskë, kur vjen ujët e madh ata mbulohen krejt dhe mund të vihen re vetëm nga gurgullimi i lehtë në sipërfaqe dhe nga era e rëndë. Unë provova ta pi këtë ujë dhe mu dukë se,po të mos ia vije veshin erës së pazakontë, shija ishte shumë me e mirë se e ujit të lumit.

Temperatura e të dy burimeve ishte 17,5° në 15 të gushtit.

Ditatar

(Nga Berati në Tomorr dhe kthim)

Eqrem bej Vlora

Shënim: në foto me kapele Republike është Eqrem bej Vlora.